RADIO ROŽAJE LIVE!

 

 

utorak, 23 Juli 2019 07:43

Haradinaj sot niset për në Hagë

Autor

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj sot do të niset për në Hagë.

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit pritet të intervistohet nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë më 24 korrik.

Ftesa nga Gjykata Speciale ishte arsyeja që Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Ai këtë vendim të befasishëm e bëri të ditur në një konferencë për media gjatë ditës së premte ku tha se nuk mund të lejojë që të intervistohet nga Gjykata Speciale në postin e kryeministrit, por do të shkojë vetëm si qytetar i Kosovës

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj sot pritet të dorëzojë edhe formalisht dorëheqjen tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Haradinaj njoftoi për dorëheqjen gjatë mbledhjes së qeverisë të premten, ndërsa më pas njoftoi se letrën për heqjen dorë nga posti i të parit të qeverisë do ta dorëzojë të hënën.

Dorëheqja erdhi pas një ftese nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, në të cilën kreu i AAK-së tha se do të paraqitet si qytetar i thjeshtë e jo si kryeministër sepse do të ishte e rëndë për vendin.

Ndryshe, pas dorëheqjes së Haradinajt pati reagime të shumta, ndërsa partitë politike tashmë kanë sytë nga presidenti për datën e re të zgjedhjeve.

Haradinaj po ashtu në vitin 2004, pati dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit me të marrë ftesën nga Gjykata e Hagës.

četvrtak, 18 Juli 2019 06:43

Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës

Autor

Nelson Mandela ishte president i Afrikës Jugore dhe luftëtar i lirisë, i cili luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej të zinjve në Afrikë, posaçërisht në Afrikën Jugore.

Ai studioi juridikun. Shumë vite të jetës së tij ai i kaloi nëpër burgje.

Mandela ka lindur më 18 korrik të vitit 1918.

Ditëlindja e Mandelas është edhe Ditë Ndërkombëtare e Nelson Mandelas, e shpallur nga OKB-ja si shenjë mirënjohjeje për kontributin e fituesit të çmimit Nobel për Paqe e pajtimin e arritur në këtë vend.

Në këtë ditë afrikano-jugorët zakonisht shënojnë ditëlindjen e liderit të tyre kundër aparteidit, i cili ishte 67 vjet në shërbim publik, kurse qytetarët bëjnë 67 minuta punë për komunitet.

Fillimisht Mandela zgjodhi rrugën paqësore për qëllimet e tij dhe të shokëve të tij.

Në vitin 1956 ai u akuzua për "tradhti të lartë" nga regjimi i atëhershëm, bashkë me 155 shokë të tjerë. Procesi zgjati deri me 1961 dhe të gjithë u liruan. Mbas lirimit ai u bë lideri i grupit të armatosur së ANC-së.

Në vitin 1962 u burgos dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Në vitin 1964 u dënua me burg të përjetshëm, sepse kishte planifikuar luftë të armatosur. Në vitin 1985 atij iu afrua mundësia e lirimit, në qoftë se do të pranonte ndalimin e aktivitetit të armatosur, por ai refuzoi.

Në vitin 1990 mbas një kampanje të ANC dhe presionit ndërkombëtar ai u lirua pa kushte. Në vitin 1993 fitoi çmimin Nobel. Kurse në vitin 1994 u zgjodh në zgjedhje demokratike, President i Afrikës Jugore dhe me 9 maj u zgjodh si presidenti i parë i zi në këtë vend.

Në vitin 1999 ai dha dorëheqje dhe ishte aktiv për organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut. Në vitin 2003 kritikoi shumë Toni Blair dhe George Ë. Bush për intervenimin në Irak.

Mandela vdiq pas një sëmundjeje të gjatë më 5 dhjetor 2013 në shtëpinë e tij në Johannesburg.

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha me rastin e vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Interpolit që të dërgojë propozimin për votim në Asamblenë e Përgjithshme të anëtarësimit të Kosovës , se këto janë çështje teknike, por që Prishtinës do t’i ndodhë e njëjta gjë si vitin e kaluar.

“Në thelb e njëjta gjë do të ndodhë përsëri, do të humbasë përsëri,” tha ai për Kuririn serb.

Më 26 qershor të këtij viti Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lion të Francës ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit e cila sivjet mbahet në Kili

Me pikëllim të thellë mësuam lajmin se shkrimtari i njohur shqiptar nga Republika e Kosovës, Rexhep Hoxha, ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare. Veprat e tij, edhe në shkollat shqipe në Malin e Zi janë mësuar dhe lexuar me adhurim të posaçëm. Ka qenë model edhe për autorët për fëmijë të Shoqatës sonë.

Andaj, në emër të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, trashëgimtarëve të tij dhe shkrimtarëve për fëmijë të Kosovës, u dërgojmë ngushëllimet tona të sinqerta, duke nënvizuar se Rexhep Hoxha do të mbetet përherë në kujtesë si shkrimtar i paharruar.

Rexhep Hoxha u lind në Gjakovë, në vitin 1929. Ishte shkrimtar e profesor. Ai i takon brezit të parë të shkrimtarëve për fëmijë në Kosovë. Mbaroi shkollimin fillor dhe Normalen në Gjakovë, ndërsa studimet për gjuhën shqipe i kreu në Beograd. Deri në pensionim, ligjëroi lëndën Letërsi për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Është autor i librit të parë për fëmijë të botuar pas Luftës së Dytë Botërore. Romani “Lugjet e verdha” vjen si roman i parë i mirëfilltë në letërsinë shqipe për fëmijë në përgjithësi, i cili, si edhe disa romane të tjera të tij (“Verorja”, ”Lugjet e verdha” II) ndërtohet nëpërmjet gërshetimit të përrallës me motive reale. Hartoi edhe tekste shkollore. Veprat e botuara: “Gjethe të reja” (1953), “Picimuli” (1956), “Mbi krahët e fluturës” (1959), “Pika vese” (1966), “Lugjet e verdha” (1967), “Vargu idhnak” (1971), “Micimiri” (1976), “Lulëzo, vendi im” (1973), “Zëri i pyllit” (1974), “Tokë trëndafilash” (1979), “Verorja” (1983), “Zogu i qiellit” (1984), “Kënga e Cupërliqes” (1989), “Picimuli në Poroj” (2000) etj.

Me këtë rast informojmë opinionin se Qeveria e Republikës së Shqiperisë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të mbajtur me 10 korrik 2019, ka marrë vendim për mbështetje financiare të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.

Këtë e konsiderojmë si vendim historik i cili duhet përshëndetur, pasi është rasti i parë që Qeveria e Republikës Shqiperisë jep mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.

Pa dyshim, ky është një vendim i mirëpritur nga ne dhe vjen si rezultat i bashkëpunimit intenziv ndërmjet Keshillit Kombëtar, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë dhe Qeverisë Shqiptare.

Këto mjete do të dedikohen për fuqizimin e aktiviteteve të Këshillit Kombëtar, vënien në funksion të zyrave koordinuese në Malësi dhe Plavë, me qellim të jemi sa më pranë qytetarëve shqiptarë në Mal të Zi, një mundësi më shumë, për të raportuar për shqetësimet e tyre në rastet e shkeljeve të të drejtave kombëtare, për nisma dhe iniciativa kërkimore për situatën aktuale të respektimit të të drejtave, në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi, për çështje të tilla si: arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi, e drejta e përfaqësimit dhe punësimit proporcional të shqiptarëve në institucionet publike, e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, përdorimi i lirë i simboleve tona kombëtare, media dhe informimi në gjuhën shqipe, situata socio-ekonomike e shqiptarëve dhe investimet në infrastukturë etj.

Për një kohë relativishtë të shkurtër, kemi tre vendime shumë me rëndësi nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për shqiptarët në Malin e Zi.

-           Vendimi për heqjen e nevojës për t’u pajisur me leje pune për shqiptarët nga Mali i Zi që punojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.

-           Vendimi për hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në qytetin e Ulqinit.

-           Vendimi për mbështetje financiare të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.

Në emër të Këshillit Kombëtar si institucion përfaqësues i shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim personal, falenderoj shumë dhe shpreh mirënjohjen më të thellë Kryeministrit Sh.T. Z. Edi Ramës, Ministrit z. Gent Cakajt, anëtarëve të Kabinetit Qeveritar dhe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi Sh. T. Z. Ridi Kurtezit.

Kemi besim të plotë se me përpjekje të përbashkëta, të vazhdueshme dhe veprime të duhura në kohën e duhur, do të ndikojmë që shqiptarët të ndihen mirë dhe të sigurtë në trojet e veta kudo që ndodhen.

Me respekt,

K r y e t a r i

Faik Nika

 

četvrtak, 11 Juli 2019 06:08

24 vjet nga masakra e Srebrenicës

Autor

Bosnja e Hercegovina sot shënon 24 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

 

 

 

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.

Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Reth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.

Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.

srijeda, 10 Juli 2019 06:57

Kosova, një përfaqësuese në lëvizje

Autor

Manchester City ka dëshmuar të martën se llogarit shumë për të ardhmen në portierin e Kosovës, Arijanet Muriq, por po ashtu që shtatlarti nuk është ende i gatshëm për të ruajtur portën e kampionit të Anglisë në futboll.

City ia ka vazhduar Muriqit kontratën edhe për tre vjet dhe menjëherë e ka huazuar te Nottingham Foresti i kategorisë së dytë angleze. Huazimi i Muriqit është i vlefshëm për një edicion.

0_Arijanet-Muric-signs-on-loan-for-Nottingham-Forest-from-Manchester-City.jpg

Huazimi i Muriqit vetëm ka vërtetuar se aktualisht përfaqësuesja e Kosovës në futboll është një ekip në "lëvizje". Shumë lojtarë të Kosovës kanë kryer transferime gjatë kësaj vere, ndërsa lëvizje të tjera priten në ditët dhe javët në vazhdim.

Në përgjithësi lëvizjet kanë kahe pozitive, duke dëshmuar rritjen e vazhdueshme të përfaqësueses së Kosovës, transmeton Koha.net

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, informon opinionin publik lidhur me vizitën “liturgjike” të paralajmëruar nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, në lokalitetin arkeologjik të Shasit, për ç’rast e kemi informuar me shkresë zyrtare kryeministrin e Malit të Zi z. Dushko Markoviq, të cilit i kemi kërkuar të marrë masa.

Në shkresën drejtuar kryeministrit, Këshilli Kombëtar ka shprehur shqetësimet, qëndrimet dhe reagimin e popullit shqiptar në Malin e Zi lidhur me provokimet e vazhdueshme të Kishës Ortodokse Serbe ndaj trashëgimisë kulturore dhe lokaliteteve arkeologjike në vendbanimeve shqiptare në Malin e Zi.

Po ashtu e kemi njoftuar edhe Drejtorinë e Policisë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e organeve të rendit në Komunën e Ulqinit, nga të cilët kemi marrë premtim se çdo gjë do të jetë nën kontrollin dhe mbikqyrjen e tyre dhe se nuk do të lejohen aktivitete brenda perimetrit të lokalitetit arkeologjik në qytetin e Shasit.

Këshilli Kombëtar iu bën apel të gjithë qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të tregojnë maturi dhe të mos bien pre e provokimeve tendencioze, të cilat mund të plasohen në media dhe opinionin e gjerë si konflikte ndëretnike dhe ndërfetare e që mund të jetë edhe qëllimi kryesor i “manifestimeve” të tilla, të përsëritura.

Ne si popull kemi treguar durim e maturi edhe në raste e provokime më të rënda në të kaluarën, prandaj edhe këtë rast duhet të tregojmë nivelin tonë kulturor përmes qetësisë dhe pa provokime, sepse jemi të bindur se kështu i shërbejmë më së miri interesit tonë.

Më datë 04.07.2019, Kryetari i Këshillit Kombëtar te Shqiptarëve në Mal të Zi Faik Nika, së bashku me sekretarin Lindon Gjelaj dhe koordinatoren e zyrës së Këshillit Adriana Hoxha, zhvilluan një takim pune në zyren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Podgoricë, në të cilin u mirëpritën nga Ambasadori SH. T. Z. Aivo Orav.

Në këtë takim Kryetari i Këshillit prezantoi gjendje aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi, sfidat me të cilatshqiptarët ballafaqohen dita ditës dhe përcolli qëndrimet e Këshillit për të ardhmen.

Ai shprehu shqetësimin për rënien e vazhdueshme të numrit të shqiptarëve në Malin e Zi, si shkak i natalitetit të ulët dhe emigrimit të vazhdueshëm.

Shqetësimet e tjera, të cilat u shpalosën në këtë takim, lidheshin edhe me temat si:

- Rëndësia e integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore publike në të gjitha nivelet, sipas proporcionit.

- Gjendja e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, problemet me planet e punës në lëndët që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, problemet me përkthimet e kurrikulës mësimore, toponimet dhe emrat e personazheve në ilustrime dhe shembuj të dhënë.

- Gjendja e përdorimit të gjuhës shqipe dhe toponimeve në gjuhën shqipe.

- Çështjet e përdorimit të simboleve kombëtare dhe problemet me mospërputhjen e ligjeve.

- Nevoja për t'u konsultuar përfaqësuesit shqiptarë në proceset e vendimmarrjes kur bëhet fjalë për planifikimin hapësinor, përdorimin e burimeve natyrore të zonave ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.

- Kujdesi për kulturën, trashëgiminë kulturore, vendet arkeologjike në zonat e banuara nga shqiptarët në Mal të Zi.

- Situata e mediave dhe informimit në gjuhën shqipe.

- Situata socio-ekonomike dhe infrastruktura.

Kryetari i Këshillit përmendi rëndësinë e mundësive për bashkëpunim brenda institucioneve dhe vendosjen e një komunikimi të rregullt për shprehjen e shqetësimeve dhe çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi.

Në vazhdim e sipër, Ambasadori Orav falenderoi Këshillin për vizitën që i bëri Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe për prezantimin e çështjeve dhe gjithashtu shtoi rolin konstruktiv dhe rëndësinë e pakicave për integrimin e Malit të Zi në BE.

X

!!!!!

Svako kopiranje, umnožavanje, presnimavanje, objavljivanje i distribuiranje cijelog ili djelova podataka sa web sajta „Radio Rožaje" ili članaka objavljenih na ovom web sajtu (uključujući dokumenta, fotografije i sl.), bez obzira na razloge, zabranjeno je i predstavlja povredu autorskog prava i krivično djelo!